Letër nga një i vdekur

Letër nga një i vdekur

A më mbani mend? Apo më keni harruar shpejt, siç harron i gjalli të vdekurin? A e mbani mend ditën kur isha së bashku me ju në Ramazanin e kaluar? Qëndroja në një nga safet e xhamisë, në ruku dhe sexhde, në namazin e teravisë qëndroja në këmbë dhe me përulje e frik-respekt. Rrija me agjëruesit, me ata që përmendnin Allahun dhe jepnin sadaka.

Nuk më shkonte mendja se ai ishte Ramazani i fundit i jetës time, nuk e kisha kuptuar se ai ishte Ramazani i fundit që do ta jetoja së bashku me ju.

 

Po ta dija, do të shtoja edhe më shumë mirësitë, begatitë dhe nderimin e këtij muaji; do të shtoja punët e mira, sakrificën, sadakatë dhe çdo të mirë tjetër. Sikur ta dija se ai ishte Ramazani i fundit për mua, do të kishit parë se sa i kujdesshëm do të isha treguar, që asnjë namaz të mos më ikte nga xhamia, e po ashtu edhe teravitë. Do të lexoja Kur'anin dhe do të bëja hatme më shumë sesa bëra Ramazanin e kaluar. Do të kishit vërejtur kujdesin tim në bamirësi dhe largimin tim nga të këqijat dhe mëkatet. Mirëpo, ai shans më ka ikur tani.

Me siguri nuk më keni harruar kur përshëndeteshim pas namazit të Bajramit; sikur ta dija se atë e kisha Fitër Bajramin e fundit, do t'ju përqafoja fort nga mallëngjimi dhe ndarja.

O dashamirë, mos më harroni në lutjet tuaja, sepse kam nevojë për to. Luteni Allahun të më mëshirojë dhe falë mua dhe të gjithë myslimanët, sepse jemi ndarë nga bota ku kishte punë dhe jo llogari, në një botë ku ka llogari dhe jo punë. Shfrytëzoni minutat dhe sekondat e jetës tuaj, sepse janë të shtrenjta dhe këtë nuk mund ta kuptojë askush përveç atij që i ka humbur. Furnizohuni për në Ahiret dhe dijeni se furnizimi më i mirë është devotshmëria. Merrni mësim nga ata që shkuan dhe dijeni se vdekja që ju kaloi pranë, një ditë do të takohet me ju. Dijeni se dynjaja është kalimtare, ndërsa ahireti i përhershëm. Andaj, fitoni nga kalimtarja për te e përhershmja. Dijeni se malli i Allahut është i shtrenjtë, dijeni se malli i Allahut është xheneti.

O dashamirë, përfytyroni sikur ky është Ramazani juaj i fundit dhe kjo ndjenjë le t'ju nxisë të veproni gjithçka që do Allahu, gjithçka me të cilën Ai kënaqet. Le t'ju nxisë të vazhdoni dhe të përqendroheni në bamirësi edhe pas Ramazanit.

Por, assesi mos lejoni që gjendja e juaj të jetë si ajo e atyre që përshkruan Allahu: "O Zoti im, më kthe prapë, se sigurisht do të veproj të mirat që nuk i kam bërë".

 

Shkruar nga Kamer Ibishi

Hënë, 26 Korrik 2010

 


Coment

No comments found.