Shpërblimi i shpenzimit të parave për nevojat familjare

Shpërblimi i shpenzimit të parave për nevojat familjare

 

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje prej Allahut nga veprat tona të liga dhe nga të këqijat e epsheve tona, nuk ka dyshim se atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush që mund ta shpjerë në humbje dhe atë që e humb Allahu, nuk ka kush që mund ta udhëzojë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër i Cili e meriton adhurimin përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi salallahu alejhi ue selem është rob dhe i Dërguar i Tij.

Shumë besimtarë mendojnë që shpenzimi i parave të tyre në nevojat familjare nuk është ndonjë sevap apo nuk do të kenë shpërblim për këtë. Ka shumë argumente nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, të cilat e nxisin besimtarin që të furnizojë familjen e tij dhe të shpenzojë për ta. Ne do t’i cekim disa ajete dhe hadithe që flasin për këtë çështje.

Ajete:
1. Allahu i Lartësuar thotë: "I ati i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregull. Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësi.” (El Bekare 233)

2. "Ai që është i pasur, le të shpenzojë sipas mundësisë së vet, e ai që është ngushtë nga pasuria, le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu.” (Et-Talak 7)

3. "Thuaj: "S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh.” (Es-Sebe 39)

Kurse hadithet janë të shumta në këtë temë. Prej tyre përmendim:

1. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Pasurinë të cilën e ke shpenzuar në rrugën e Allahut, pasurinë që e ke shpenzuar për të liruar një rob, pasurinë të cilën e ke shpenzuar për të varfrit, pasurinë të cilën e ke shpenzuar për familjen tënde, prej të gjitha këtyre shpërblimi më i madh arrihet me pasurinë e shpenzuar për familjen tënde.” (Muslimi 995)

2. Transmeton Theubani se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Pasuria më e mirë është ajo e cila shpenzohet për familje, pastaj pasuria e shpenzuar për kafshën (mjetin transportues), e cila përdoret në rrugën e Allahut dhe pastaj pasuria më e mirë është ajo e cila shpenzohet për shokët e tij në rrugën e Allahut.” (Muslimi 994)

Thotë Ebu Kalabe: "Ka filluar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem shpenzimin e pasurisë në familje së pari.”

3. Transmeton S’ad ibn ebi Vekasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i ka thënë: "Me të vërtetë çdo gjë të cilën e shpenzon për hir të Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin prej Allahut, do të shpërblehesh për të e do të shpërblehesh edhe për ushqimin që ha gruaja jote.” (Buhariu 1295, Muslimi 1628)

4. Transmeton Ebu Mesud el Bederij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Nëse një burrë shpenzon prej pasurisë për familjen e tij dhe ai shpreson shpërblimin prej Allahut, do t’i llogaritet atij si sadaka (lëmoshë).” (Buhariu 55 dhe Muslimi 1002)

5. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: "Ka ardhur tek unë një grua me dy vajza të saj dhe kërkuan lëmoshë dhe nuk gjeta asgjë tjetër për t’i dhuruar përveç një hurme të cilën ja dhashë asaj. Ajo e ndau hurmën dhe ia dhuroi bijave të saj, kurse ajo nuk hëngri asgjë prej asaj hurme, pastaj u ngrit dhe shkoi. Më pas erdhi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe hyri tek unë dhe i tregova për këtë ngjarje dhe tha: "Ai i cili sprovohet me vajza dhe ai sillet mirë me to (i edukon mirë), do të jenë mburojë për të në Ditën e Gjykimit.” (Buhariu 1418 dhe Muslimi 2629)

Këto ishin disa prej argumenteve të cilat tregojnë për shpërblimin e madh të atij i cili shpenzon për familjen e tij dhe e gjithë kjo nëse e bën këtë gjë duke shpresuar shpërblimin prej Allahut të Lartësuar.
 Shkruajt
Kamer Ibishi