RAMAZANI DHE VLERA E TIJ

RAMAZANI DHE VLERA E TIJ

Falënderimi i takon Allahut, i Cili e bëri ndërrimin e ditëve e të netëve përkujtim për ata që logjikojnë. E falënderojmë Atë për mirësitë e Tij të shumta që na ka dhuruar. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër me meritë veç Tij, i Cili është Bujar dhe Falës i Madh. Caktoi që kjo botë të jetë e përkohshme dhe nxiti që të furnizohemi për botën e pafundme. Dëshmoj se Pejgamberi ynë, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është rob dhe i Dërguar i Tij, bartës i flamurit të besnikëve. Për të qoftë paqja dhe nderimet, mbi familjen dhe shokët e tij, të drejtët dhe besnikët, bujarët dhe të devotshmit!

Allahu i Lartësuar ka zgjedhur që gjatë kohës të ketë periudha për shtimin e bindjes ndaj Tij dhe, sigurisht, që në të ka zgjedhur disa ditë e netë, duke treguar bamirësi ndaj robërve të Tij besimtarë.
 Nuk ka dyshim se ky Ummet (muslimanët) janë nderuar me ardhjen e një muaji në të cilin ata pastrojnë shpirtrat nga gjynahet dhe kundërshtimet, trupat e tyre nga zakonet e këqija dhe veprat e ndyra. Të devotshmit në këtë muaj e shfrytëzojnë kohën e tyre me bindje, lexim të Kur’anit dhe me çdo punë të mirë, të cilat i afrojnë ata më afër me Krijuesin e tyre.
 Besoj se e kuptove se cili është ky muaj, o vëlla dhe ti o motër.
 Ky muaj është ai, hënën e të cilit besimtarët e presin me padurim  në mënyrë që të shtojnë në të devotshmërinë, duke zbatuar kështu urdhrin e Zotit të tyre.
 يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
 "O ju që keni besuar! Ju është urdhëruar juve agjërimi siç u qe urdhëruar edhe atyre përpara jush me qëllim që të mund të bëheni të përkushtuar."
[Bekare, 183]
 Ai është muaj i begatë, të cilin muslimanët e presin duke shpresuar që të jetë falje gjynahesh për ta, nuk ka dyshim se ai është furnizim për shpirtin e zemrën dhe me anën e të cilit muslimanët përpiqen për rritjen e gradave. Ai është zotëria i të gjithë muajve. Në të zbriti Kur’ani mbi të Dërguarin tonë, Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. E pra, ky është muaji i Ramazanit, për të cilin Allahu thotë:
 شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِيَ أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ
 "Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriter
(dallues i qartë për të drejtën dhe të gabuarën)." [Bekare, 185]
 Ramazani është muaj ku pakësohen të këqijat dhe pastrohen shpirtrat, nxirren në pah besimet e sinqerta dhe në të hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Kur hyn Ramazani hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit dhe në të prangosen djajtë (shejtanët)." [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 Në këtë muaj ndodhet një natë, e cila është kurorë e vendosur në kryet e kohës, ajo është më e mirë se njëmijë muaj, nata e Kadrit për të cilën Allahu ka thënë:
 لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ
 “Nata e Kadrit është më e vlefshme se sa njëmijë muaj!"
[Kadr, 3]
 Nëse besimtari falet në të me besim dhe bindje i falen atij gjynahet e mëparshme. Ramazani është muaj në të cilin shfaqet qartë besimi i sinqertë dhe dashuria ndaj Allahut. Ai është sekreti midis robit dhe Zotit të tij, ku ai e kryen atë të sinqertë vetëm për Allahun dhe duke kërkuar me të kënaqësinë e Tij. Me të shfaqen shenjat e Njësimit, shtohet besimi dhe rrënjosen në zemrën e besimtarit bindja dhe devotshmëria.
 E si të mos ndodh një gjë e tillë kur agjërimi është sikur e ka cilësuar Allahu në fjalën që transmeton prej Tij i Dërguari ynë, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Çdo punë e birit të Ademit është për të, me përjashtim të agjërimit, ai është për Mua dhe Unë do ta shpërblejë atë."
 Ramazani është muaj, i cili tregon bashkimin dhe njësimin e muslimanëve, në të janë të barabartë të pasurit dhe të varfrit, të mëdhenjtë e të vegjlit, burrat e gratë. Të gjithë ata agjërojnë duke iu bindur kështu Zotit të tyre. Ata ndalohen prej ngrënies në të njëjtën kohë dhe e bëjnë iftarin po në të njëjtën kohë, janë të barabartë në agjërimin dhe urinë e tyre. Sigurisht që muaji i Ramazanit është hallkë e fortë që i bashkon muslimanët edhe pse ata janë të shpërndarë në vende të ndryshme. Në këtë muaj vërtetohet fjala e Allahut ku thotë:
 وَإِنَّ هَذِهِ أُمَّتُكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَأَنَا رَبُّكُمْ فَاتَّقُونِ 
 "Dhe me të vërtetë që kjo feja juaj është një fe
(Islami) dhe Unë jam Zoti juaj; kështu pra, m’u frikësoni (vetëm) Mua." [Mu’minunë, 52]
 O ju muslimanë! Vërtet vlerat e muajit të Ramazanit janë të mëdha e të panumërta. Përgëzohu o ti, i cili e ndërpret ngrënien dhe pirjen për Allahun duke agjëruar dhe je i bindur ndaj Tij me atë që Allahu i ka veçuar agjëruesit Ditën e Gjykimit. Allahu ka caktuar që agjëruesit të hynë në xhenet nga dera Rejan (nga dera e atyre që nuk do t’i marrë etja kurrë).
 Sehl bin Sa’d, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Vërtet, në xhenet është një derë, e cila quhet Rejan, nëpër të cilën do të hyjnë Ditën e Gjykimit vetëm ata që agjërojnë, nëpër atë derë të tjerët nuk do të hyjnë. Do të thirret në atë derë ku janë agjëruesit. Do të çohen agjëruesit dhe nuk do të mund tjetërkush të hyjë nga kjo derë, e pasi të hyjnë ata, dera do të mbyllet e nuk do të mund të hyjë askush tjetër.” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 Vallë a nuk mjafton si vlerë e këtij muaji që Allahu t’u falë gjynahet atyre, të cilët e agjërojnë muajin e Ramazanit duke qenë të bindur në besimin islam?
 Ebu Hurejre radijallahu anhu thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, duke qenë i bindur në besimin islam dhe duke i kryer obligimet islame, do t'i falen gabimet e tij të mëparshme.” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 Nga vlerat e këtij muaji është se besimtari në të ka lidhje më të ngushtë se në muajt e tjerë me Kur’anin. Nuk përkujdeset dikush në këtë muaj madhështor për agjërimin e tij dhe leximin e Kur’anit, vetëm se Allahu do të mundësojë që ata të dy të jenë ndërmjetësues për të Ditën e Gjykimit; atë ditë kur unë dhe ti do të kemi nevojë të thotë qoftë edhe dikush një dëshmi të mirë për ne, para Allahut.
 Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për besimtarin Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: ‘O Zot, ia ndalova robit ushqimin dhe epshet, prandaj më bëj ndërmjetësues!’ Kur’ani do të thotë:  ‘O Zot, e kam ndaluar robin tënd nga gjumi i natës, prandaj më bëj për të ndërmjetësues!’ Dhe ndërmjetësojnë.” [Transmeton Ahmedi]
 Agjërimi i Ramazanit është një nga pesë shtyllat e Islamit, të cilat nëse dikush i kryen siç duhet do të hyjë në xhenet.
 Ibn Omeri radijallahu anhu thotë se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): dëshminë se nuk ka zot tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i Allahut, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën e Qabesë dhe agjërimin e Ramazanit.” [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 Ndërsa, Talha bin Ubejd radijallahu anhu ka transmetuar se një arab me flokë të pushpuritura erdhi tek i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: “Më lajmëro për atë që më ka obliguar Allahu prej namazit!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ia ktheu: "Faljen e pesë namazeve me përjashtim të asaj që dëshiron ta falësh vullnetarisht." Arabi pyeti përsëri duke thënë: “Më lajmëro për atë që më ka obliguar Allahu prej agjërimit!” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ia ktheu: "Agjërimin e muajit të Ramazanit me përjashtim të asaj që mund të agjërosh vullnetarisht." Pasi Pejgamberi e lajmëroi atë për të gjitha obligimet e Fesë Islame, ai tha: “Pasha Atë i Cili të ka nderuar! Nuk shtoj e as nuk pakësoj asgjë nga ato që më ka obliguar Allahu.” - dhe më pas shkoi. Pasi u largua, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: "Do të hyjë në xhenet, nëse vepron ashtu siç tha." [Transmeton Buhariu]
 Për shkak se besimtari në muajin e Ramazanit shkëputet nga ngrënia e pirja, kënaqësitë trupore (si marrëdhëniet me bashkëshorten) dhe dëshirat e vetes, Allahu ka vendosur që këtë sakrificë ta shpërblejë më shpërblim të veçantë, shpërblim ky që nuk mund ta caktojë vetëm se Ai. Po ashtu, Allahu ka bërë që era e gojës së agjëruesit, prej të cilës neveriten e shtrembërohen shumë njerëz, të jetë më e mirë dhe më e dashur tek Allahu, se era e miskut (parfumit kundërmues). 
 Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke transmetuar nga Allahu ka thënë: "Çdo punë e birit të Ademit është për të, çdo e mirë shpërblehet nga dhjetë deri në shtatëqind fish, me përjashtim të agjërimit, ai është për Mua. Unë do ta shpërblej atë, sepse ka lënë epshet e tij, ushqimin dhe pirjen për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, gëzim në kohën e iftarit dhe gëzim kur ta takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut." [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 Subhanallah! Sa shumë vlera ka agjërimi i muajit të Ramazanit! Për çdo ditë në të Allahu liron grupe njerëzish nga zjarri dhe me çdo ditë agjërimi për Allahun, besimtari largohet nga zjarri shtatëdhjetë vjetë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Kur të jetë nata e parë e Ramazanit burgosen shejtanët dhe sëmuren xhinët, mbyllen dyert e zjarrit dhe nuk hapet asnjëra prej tyre dhe hapen dyert e xhenetit dhe nuk mbyllet asnjëra prej tyre dhe thërret një thirrës: “O kërkues i së mirës, përgatitu! O kërkues i së keqes, ndalohu prej saj, sepse me të, vërtet, Allahu shpëton nga zjarri; e kjo në çdo natë të këtij muaji." [Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe]
 Ndërsa, në një hadith tjetër Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, ia largon Allahu fytyrën e tij me këtë ditë nga zjarri shtatëdhjetë vjet.” [Transmeton Muslimi]
 O Allah! Ty të lutemi të na lirosh ne dhe të gjithë muslimanët nga zjarri i xhehenemit në muajin Ramazan!
 O Allah! Largoi fytyrat tona nga zjarri për çdo ditë agjërimi që bëjmë për ty! Vërtet, Ti je i Mëshirshëm dhe Bujar i Madh, nuk ka zot tjetër me meritë, veç Teje.
 Allahu i Lartësuar, siç ka vendosur që ky muaj të jetë i begatë dhe me mirësi të pashtershme, ka bërë që me anën e tij edhe besimtarët të jenë të tillë në këtë muaj.  
 Nuk ka dyshim se rrethi i bamirësisë zgjerohet në këtë muaj madhështor, e kështu zemrat e besimtarëve shpejtojnë në nxitjen e tyre për bujari dhe çdo të mirë. Ndaj dhe feja e pastër islame ka nxitur për një gjë të tillë, në mënyrë që të zgjerohen zemrat e bamirësve dhe të kurohet koprracia e të ligjve. Allahu thotë:
 مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللّهَ قَرْضاً حَسَناً فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافاً كَثِيرَةً
 "Kush është ai që dëshiron të lerë tek Allahu një hua të mirë, ashtu që Ai të mund t’ia shumëfishojë atë atij disa herë?"
[Bekare, 245]
 Pasuria nuk pakësohet me bujarinë e sadakasë, porse ajo është hua e sigurt tek Allahu, i Cili e shton begatinë e saj, dhe të cilën kur ta shohësh Ditën e Gjykimit do të thuash: “Ah, që nuk u tregova bujar edhe më shumë!”
 Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Çdo ditë në të cilën zgjohen njerëzit, zbresin dy melaike. Njëri prej tyre thotë: “O Allah, atij që jep për Ty zëvendësoja me më të mirën!” Ndërsa tjetri thotë: “O Allah, atij që është koprrac jepi vetëm shkatërrim!" [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 Kështu që i gjen besimtarët në këtë muaj të garojnë në dhënien e sadakasë dhe zgjidhjen e problemeve që kanë vëllezërit e tyre. Dhe e gjithë kjo arrihet, sepse pasanikët kur agjërojnë këtë muaj kuptojnë gjendjen e vëllezërve të tyre që nuk sigurojnë dot kafshatën e gojës, kujtojnë jetimët dhe vejushat, të cilëve u mungon ai që përpiqet për furnizimin e tyre.
 Nga ana tjetër ata marrin në këtë vepër si shembull të Dërguarin e tyre, i cili kur vinte Ramazani ishte për njerëzit më i dobishëm se era, e cila sjell shiun.
 Abdullah bin Abasi radijalahu anhu ka thënë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në Ramazan kur takonte Xhibrilin tregonte një bujari që nuk e kishte në muajt e tjerë. Ai, Xhibrili e takonte atë për çdo natë të Ramazanit dhe e përsërisnin së bashku Kur’anin. Kështu, Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem këtë muaj ka qenë për njerëzit më i dobishëm se era pas së cilës vjen shiu." [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi]
 O ju muslimanë! O ju të cilët Allahu ju ka nderuar me pasuri! Në këtë muaj ju ka hapur një derë, ndaj shfrytëzojeni rastin të hyni në të, para se ajo të mbyllet. Nëse ke mundësi që të mos të ta kalojë dikush, bëje, se vërtet garimi më i pëlqyer është garimi në të mira dhe gjithmonë kujtoje fjalën e Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: "O biri i Ademit! Jepu (të varfërve e nevojtarëve), në mënyrë që të të jepet ty.”
 Lum si ai, i cili e shfrytëzon këtë muaj dhe përfiton prej asaj që ka vendosur Allahu në këtë muaj.

Shkruajti Kamer Ibishi


Coment

No comments found.