RAMAZANI DHE KUR'ANI

RAMAZANI DHE KUR'ANI

Fletushkat e Ibrahimit kanë zbritur ditën e parë të Ramazanit. Tevrati i ka zbritur Musait ditën e gjashtë të Ramazanit, Zeburi i ka zbritur Davudit . . .
“Ramazani është muaji në të cilin u zbrit Kur’ani, udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe dallues i qartë i së drejtës nga e kota.” [Bekare, 185]

Leximi i Kur’anit është tregti e suksesshme e pafalimentueshme në çdo kohë dhe vend. Tregti shpirtërore për të cilën besimtari duhet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë, ashtu siç i kushton materies për të vendosur një peshore të drejtë mes trupit dhe shpirtit.
Për këtë arsye besimtarët duken tepër të preokupuar në muajin e Ramazanit, me librin e fundit që zbriti për njerëzimin, Kur’anin. Vetë i Dërguari i Zotit, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tregonte një kujdes të veçantë me Kur’anin në muajin e Ramazanit.
Nata, kur filloi zbritja e Kur’anit nëpërmjet Xhibrilit te Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem,  ishte në muajin e Ramazanit. Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga nëna e besimtarëve, Aishja radijallahu anha, e cila na tregon se në njërën nga netët që Muhammedi alejhi selam veçohej në shpellën Hira, duke adhuruar Allahun, i erdhi Xhibrili e i tha: “ Lexo me emrin e Zotit tënd …” [Alak, 1-5]
Atë natë kur zbriti shpallja hyjnore, zbriti mëshira mbi njerëzimin, e kjo ndodhi pikërisht në muajin e Ramazanit. Lindi drita për ata që ndodheshin në errësirën e politeizmit, të adhurimit të varreve, të magjisë e të fallit.
Kur’ani ka zbritur Natën e Kadrit, e cila është një nga netët më të mira të Ramazanit, nga Levhi Mahfudh në Bejtul Izeti (në qiellin e dynjasë), pastaj zbriti tek i Dërguari pjesë-pjesë, sipas rasteve e ngjarjeve të ndryshme. Transmetimet nga të parët tanë, se Kur’ani ka zbritur nga Levhi Mahfudh në qiellin e dynjasë Natën e Kadrit, janë të shumta. Jo vetëm kaq, por në këtë muaj Allahu ka zbritur edhe librat e tjerë, për këtë Xhabiri radijallahu anhu thotë:  “Fletushkat e Ibrahimit kanë zbritur ditën e parë të Ramazanit, Terati i ka zbritur Musës ditën e gjashtë, Zeburi i ka zbritur Davudit ditën e dymbëdhjetë, Inxhili i ka zbritur Isës ditën e tetëmbëdhjetë, ndërsa Kur’ani i ka zbritur Muhammedit ditën e njëzet e katërt të Ramazanit."
Në Ramazan engjëlli Xhibril zbriste çdo natë te Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për të studiuar së bashku librin e Zotit, Kur’anin.
Ibn Abasi thotë: Pejgamberi alejhi selam ishte më bujari, por kur vinte Ramazani, ishte edhe më bujar, sepse takohej me Xhibrilin për të studiuar Kur’anin. I Dërguari i Zotit alejhi selam ishte edhe më bujar se era që sjell mirësi. Ndërsa vitin e fundit të jetës së të Dërguarit alejhi selam, ata e studiuan Kur’anin dy herë. [Transmeton Buhariu e Muslimi]
Në këtë muaj besimtari duhet të jetë sa më afër Allahut, gjatë ditës duke agjëruar e gjatë natës duke u falur, si dhe duke e shoqëruar agjërimin me leximin e Kuranit. Nga Abdullah ibn Mesudi transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: Kush lexon një germë nga libri i Zotit, shpërblehet me një të mirë. Një e mirë me dhjetë të mira. Nuk them elif lam mim është një germë, por elif është një germë, lam një germë dhe mim një tjetër.” [Saktësoi Albani]
Mirësitë e këtij libri janë të shumta. Secilit prej nesh do t’i nevojiten një ditë, kur nuk bën dobi as pasuria e as fëmija, vetëm ai që vjen me zemër të shëndoshë, të mbushur me këtë lloj adhurimi.
Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: Shembulli i asaj shtëpie, ku përmendet Allahu dhe i asaj ku nuk përmendet, është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.” [Transmeton Muslimi]
Lexuesi i Kur’anit do të jetë me njerëzit më të lartë në Xhenet, në varësi të leximit të tij në këtë botë. Secili prej nesh kërkon që dikush të ndërmjetësojë për diçka të lartë, për këtë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: Lexoni Kur’anin, sepse Ai do të jetë ndërmjetësues për lexuesin Ditën e Gjykimit.” [Transmeton Muslimi]
Besimtari i devotshëm e lexon Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve që të jenë nga njerëzit më të mirë, siç ka thënë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: Më i miri prej jush është ai që mëson Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve.”
Allahu thotë:
“A nuk mendojnë thellë për Kur'anin? Ai, po të ishte prej dikujt tjetër e jo prej Allahut, sigurisht që në të do të gjenin mjaft kundërthënie e mospërputhje.” [Nisaë, 82]

Shkruajti Kamer Ibishi